Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar mosfunksionimin e sistemit të radhës në Spitalin Pediatrik të QSUT-së.
Në pamjet e dërguara shihet aparati elektronik për marrjen e numrit të radhës, i cili është i fikur dhe nuk funksionon.
Po ashtu, edhe tabela elektronike ku duhet të shfaqen radhët dhe dhomat rezulton e fikur, pa treguar asnjë numër.
Në hollin e pritjes shihen prindër me fëmijët e tyre duke pritur, ndërsa sipas denoncuesit, situata ka vijuar prej gati një muaji.
“Ja pra, këtu te Spitali i Pediatrisë, nuk ka asnjë numër, asnjë gjë. Kam bërë kërkesë disa herë dhe janë duke pritur njerëzit këtu. Shife, ka mbi një muaj gati që s’vihen numrat e radhës.”
Mosfunksionimi i sistemit krijon konfuzion për pacientët dhe familjarët, të cilët nuk kanë mundësi të shohin radhën apo dhomën ku duhet të paraqiten.
JOQ Albania publikon pamjet dhe denoncimin, ndërsa kërkon një reagim nga QSUT lidhur me arsyen e mosfunksionimit të sistemit dhe kohën kur pritet të rikthehet në punë.