Një incident është raportuar mbrëmjen e sotme në fshatin Mengël të Elbasanit, në zonën e njohur si Ura e Lizës, ku një autobot dyshohet se është përplasur me urën.
Sipas dëshmive të mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, autoboti ka qenë më i lartë se hapësira e urës dhe, pas përplasjes, është dëmtuar pjesa e cisternës.
Dëshmitarët thonë se nga autoboti ka pasur rrjedhje të vazhdueshme të një substance që e identifikojnë si gaz, ndërsa një tjetër denoncim nga zona raporton se mjeti ka vijuar të nxjerrë gaz për disa minuta pas incidentit.
Pas ngjarjes, Policia ka bllokuar qarkullimin në zonë, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur edhe shërbimet zjarrfikëse.
Banorët shprehen të shqetësuar për situatën, ndërsa autoritetet po ndërhyjnë në vendngjarje për të menaxhuar situatën dhe për të vlerësuar rrezikun.
Deri në këto momente nuk ka informacion për persona të lënduar. Gjithashtu, nuk ka ende një njoftim zyrtar që të konfirmojë llojin e substancës së rrjedhur apo rrethanat e plota të incidentit.