Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e sotme zonën me pisha në Gjirin e Lalëzit, pranë kompleksit San Pietro.
Pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania tregojnë përmasat e flakëve, ndërsa sipas raportimeve nga zona, zjarri ndodhet pranë banesave dhe strukturave turistike.
Era e fortë po e vështirëson ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse, ndërsa në vendngjarje raportohet se po mbërrijnë forca të tjera për t’u angazhuar në shuarjen e flakëve.
Specialistët që ndodhen në zonë vlerësojnë se për izolimin e zjarrit mund të nevojitet ndërhyrje nga ajri. Megjithatë, një ndërhyrje e tillë me helikopter nuk mund të kryhet gjatë natës dhe do të mund të realizohej gjatë ditës, në varësi të situatës dhe kushteve të operimit.
Deri në këto momente nuk ka një informacion zyrtar për persona të lënduar apo banesa të dëmtuara nga zjarri. Gjithashtu, nuk është bërë ende e ditur sipërfaqja e përfshirë dhe shkaku i rënies së zjarrit.
JOQ Albania po ndjek situatën dhe do të sjellë informacionet e fundit nga Gjiri i Lalëzit.