Një rast i pazakontë vjedhjeje është denoncuar në redaksinë e JOQ Albania nga një biznes që tregton fruta dhe perime në Tiranë.
Sipas biznesit, një grua në moshë është filmuar nga kamerat e sigurisë teksa afrohet pranë hyrjes së dyqanit, ku ndodheshin sandalet e një prej punëtoreve. Ajo ka pritur momentin kur nuk kishte persona pranë dhe më pas i ka marrë sandalet.
Por ajo që ndodh më pas është filmuar sërish nga kamerat. Pasi ka dalë nga dyqani dhe është larguar në rrugë, gruaja ka hequr takat që kishte veshur, ka veshur sandalet e marra në dyqan dhe ka vazhduar rrugën me to.
Biznesi pretendon se kjo grua nuk është e panjohur për ta, pasi sipas tyre ajo është filmuar edhe në raste të tjera duke marrë produkte nga dyqani. Pronari thotë se ndër të tjera janë konstatuar edhe vjedhje të frutave të thata dhe produkteve të tjera, përfshirë fruta ekzotike.
Denoncuesi shprehet se për shkak të rasteve të përsëritura kanë vendosur kamera sigurie dhe thotë se disponojnë edhe pamje të tjera nga raste të ngjashme.
Në videon e dërguar në redaksi, momenti i marrjes së sandaleve dhe më pas ndërrimi i tyre në rrugë është i dokumentuar nga kamerat e sigurisë.