Gjermani/ Kërkohet nga policia 23-vjeçari nga Vushtrria, dyshohet për vrasjen e 15-vjeçarit

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 22.09.2026, 21:38

Policia gjermane ka shpallur në kërkim publik një 23-vjeçar nga Vushtrria, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e një 15-vjeçari në qytetin Marsberg të Gjermanisë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 19 shtator, rreth orës 20:30, ku sipas autoriteteve gjermane, një përleshje ka përfunduar me vdekjen e të miturit pas plagëve të marra nga një mjet i mprehtë.

Në konflikt ka mbetur i plagosur rëndë edhe një 18-vjeçar, i cili është dërguar në spital për trajtim.

Policia e Dortmundit dhe Prokuroria e Arnsbergut kanë publikuar emrat dhe fotografitë e dy personave të dyshuar, 23-vjeçarit Albin Bejtullahu nga Vushtrria dhe 22-vjeçarit Alex Olntas, të dy nga Hamm, të cilët dyshohet se janë larguar pas ngjarjes.

Ndaj tyre është lëshuar urdhër-arrest nën dyshimin për vrasje dhe lëndim të rëndë trupor.

Sipas hetimeve paraprake, përleshjes i ka paraprirë një konflikt verbal mes dy të dyshuarve dhe një grupi personash nga Marsbergu dhe Rütheni, ku ndodheshin edhe viktimat.

Autoritetet gjermane kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e të dyshuarve, ndërsa kanë bërë të ditur se aktualisht nuk ka vlerësim për rrezik të drejtpërdrejtë ndaj publikut. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit