Një drejtues mjeti i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë të rrezikshme në aksin Fier–Dimal.
Sipas tij, ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit, pranë rrethrrotullimit të Urës Vajgurore, në zonën e njohur pranë aeroplanit.
Shoferi tregon se në mes të rrugës ka hasur një frezë dore/mjet bujqësor, e cila po qarkullonte gjatë natës pa sinjalistikë ndriçuese.
“Sot isha duke u kthyer nga Fieri, nga ora 5 e mëngjesit. Pa vajtur te aeroplani që ndodhet në rrotullimin e Urës Vajgurore, në mes të rrugës ishte një frezë pa sinjalistikë. Për fat të Zotit sot shpëtova.”
Sipas tij, mungesa e dritave apo sinjalistikës e bën të vështirë dallimin e mjeteve të tilla nga drejtuesit e tjerë, veçanërisht gjatë natës.
“Nuk mund të udhëtojnë frezat pa sinjalistikë natën në rrugë.”
Denoncuesi i bën thirrje Policisë Rrugore që të kontrollojë qarkullimin e mjeteve bujqësore në akset kryesore dhe të marrë masa kur ato lëvizin pa pajisjet e nevojshme të sinjalizimit.
Ai pretendon gjithashtu se në aksin Kuçovë–Dimal kanë ndodhur më parë aksidente me pasoja fatale ku janë përfshirë mjete bujqësore që lëviznin gjatë natës.
Kjo pjesë e denoncimit kërkon verifikim nga autoritetet, ndërsa nga pamjet dhe dëshmia e qytetarit nuk mund të përcaktohet nëse mjeti konkret ka shkelur rregullat e qarkullimit.
JOQ Albania publikon shqetësimin e drejtuesit të mjetit dhe kërkon që autoritetet të verifikojnë situatën, me qëllim garantimin e sigurisë së të gjithë përdoruesve të këtij aksi rrugor.