Pas një periudhe më shumë se dy muajsh në paraburgim në Beograd, është liruar Osman Selmani, i cili ishte arrestuar nga autoritetet serbe në korrik të këtij viti.
Lajmin e ka bërë të ditur familja e tij, duke njoftuar se Selmani është liruar të hënën, më 21 shtator 2026, dhe tashmë është bashkuar me familjarët në pikën kufitare në Merdare.
Familjarët kanë shprehur gëzimin pas ditëve të ankthit dhe pritjes, duke falënderuar të gjithë ata që i kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe.
“Me shumë gëzim dhe falënderim ndaj Zotit, ju njoftojmë se sot babai ynë, Osman Selmani, është liruar nga paraburgimi në Beograd”, ka bërë të ditur familja.
Ata kanë treguar se takimi me të në Merdare ka qenë një nga momentet më të lumtura për ta pas një periudhe të vështirë.
“Pas kaq shumë ditësh ankthi, malli dhe pritjeje, ky është një nga momentet më të lumtura për familjen tonë”, është shprehur familja Selmani.