Po kthehej në shtëpi me biçikletë, 15-vjeçari shqiptar përplaset për vdekje nga një makinë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 21.09.2026, 16:52

Një 15-vjeçar shqiptar ka humbur jetën tragjikisht në Itali, pasi u përplas nga një makinë teksa po udhëtonte me biçikletë. Viktima është identifikuar si Manuel Korreshi, i cili jetonte në Castegnero Nanto dhe ndiqte studimet në Institutin Lampertico në Vicenza.

Aksidenti i rëndë ndodhi në Riviera Berica, pranë Ponte di Barbarano. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, Manuel po lëvizte me biçikletë në rrugën provinciale 247, në drejtim të veriut, kur u përplas nga një automjet që po udhëtonte në të njëjtin drejtim.

Nga përplasja, 15-vjeçari u përplas në asfalt dhe më pas përfundoi në kanalin pranë rrugës, disa metra larg. Shoferi ndaloi menjëherë dhe njoftoi shërbimet e emergjencës.

Manuel u gjet pa ndjenja dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit San Bortolo në Vicenza, ku u shtrua në kujdesin intensiv pediatrik. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, plagët e marra ishin tepër të rënda dhe pak para orës 20:00 u konfirmua vdekja e tij.

I riu ishte edhe futbollist dhe luante për AC Este. Familja, me origjinë shqiptare, jeton në zonë. Manuel lë pas prindërit dhe vëllain e madh, Enea, i cili gjithashtu merret me futboll.

Humbja e 15-vjeçarit ka tronditur komunitetin ku jetonte, shkollën dhe shokët e tij të skuadrës. “Fluturo lart, sulmues”, shkruan miqtë e tij në mesazhet e lamtumirës, ndërsa bashkëmoshatarët e kujtojnë si një djalë të ri që u nda shumë herët nga jeta.

Ndërkohë, Karabinierët e Vicenzës po hetojnë rrethanat e aksidentit. Shoferi u ka deklaruar efektivëve se nuk e kishte parë biçikletën për shkak të errësirës.

“Ishte shumë errësirë, nuk e pashë. U shfaq papritur para meje”, mësohet të ketë deklaruar ai.

Hetuesit po verifikojnë të gjitha rrethanat e përplasjes, përfshirë edhe nëse biçikleta e 15-vjeçarit kishte dritat e ndezura në momentin e aksidentit. Në kuadër të hetimeve, Prokuroria është vënë në dijeni dhe po shqyrtohen edhe përgjegjësitë e mundshme ligjore.

“Kjo është një tragjedi që na trishton thellë. Manuel ishte vetëm 15 vjeç dhe vdekja e tij ka prekur të gjithë komunitetin tonë”, u shpreh kryetarja e bashkisë Castegnero Nanto, Manuela Vecchiatti, duke shprehur ngushëllimet për familjen.

“U prehsh në paqe Manu”, “Përgjithmonë njëri prej nesh”, “Ike shumë herët”, janë disa prej mesazheve prekëse të miqve të 15-vjeçarit shqiptar, që humbi jetën në mënyrë tragjike në Itali.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit