Mërgimtarët kanë vazhduar të mbajnë një peshë të madhe në ekonominë e Kosovës. Vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, diaspora ka dërguar rreth 692 milionë euro në vend.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, të publikuara nga Oda Ekonomike e Kosovës, remitencat janë rritur me 5.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjermania vazhdon të jetë vendi nga ku vijnë më së shumti dërgesa, me 38.2%, e ndjekur nga Zvicra me 20.4% dhe SHBA-ja me 6.4%.
Nga viti 2008 deri në 2025, mërgata ka dërguar mbi 15.2 miliardë euro në Kosovë, ndërsa remitencat kanë përbërë rreth 12–14% të BPV-së gjatë dekadës së fundit.
Edhe një herë, shifrat tregojnë se mijëra familje në Kosovë vazhdojnë të mbështeten nga djersa e të afërmve të tyre jashtë vendit.