Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka kritikuar ashpër vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e funksionimit të kësaj gjykate.
Bosch, i cili ishte diplomat në Kosovë në periudhën kur u krijua Gjykata Speciale, ka thënë se institucionet e Kosovës u detyruan ta pranonin themelimin e saj, me shpresën se do të sillte drejtësi.
Sipas tij, ajo që pritej si një proces i drejtë nuk ka sjellë rezultatin e besuar, ndërsa akuzoi gjykatën se po fokusohet në një drejtim që, sipas tij, synon të kënaqë kërkesat e palës serbe.
“Ne e detyruam Thaçin t’ia vendoste vetes lakun në fyt”, ka deklaruar Bosch, duke marrë edhe përgjegjësinë për rolin e ndërkombëtarëve në krijimin e kësaj gjykate.
Deklaratat e tij vijnë pas vendimeve të fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilat kanë shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe më gjerë.