PDK dorëzon në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 21.09.2026, 11:37

Lideri i PDK-së, Bedri Hamza, në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka njoftuar se Grupi Parlamentar i PDK-së ka proceduar në Kuvend nismën për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Hamza tha se Kosova po kalon momente të rënda pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se reagimi i qytetarëve nuk mund të injorohet.

“Sot jam me deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së para jush dhe para qytetarëve për t’ju informuar se Grupi Parlamentar i PDK-së sapo procedoi në Kuvend ligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara”, tha Hamza.

Ai tha se protestat në Prishtinë dhe në vende të ndryshme të Kosovës janë një shprehje e reagimit qytetar ndaj aktgjykimit, i cili, sipas tij, ende nuk është përfundimtar.

“Ky reagim i qytetarëve nuk mund të injorohet “, u shpreh ai.

Hamza theksoi se Dhomat e Specializuara janë krijuar përmes ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, duke rikujtuar se gjithçka kishte nisur nga raporti i Dick Marty-t dhe pretendimet që, sipas tij, godisnin historinë e luftës së Kosovës për liri.

Sipas tij, pas më shumë se një dekade ekziston nevoja për përgjigje politike dhe institucionale lidhur me këtë çështje.

Ai sqaroi se projektligji nuk kërkon mbylljen e Dhomave të Specializuara dhe as ndalimin e hetimit të akuzave të ngritura.

“Ky projektligj nuk kërkon mbylljen e Dhomave të Specializuara, nuk kërkon që akuzat dhe pretendimet për trafikim të organeve njerëzore të mos hetohen. Kjo nuk është nismë për pandëshkueshmëri, por nismë për të përcaktuar se kush ka të drejtë të gjykojë dhe çfarë “, tha Hamza.

Ai shtoi se Kuvendi ka përgjegjësi për ta rishikuar këtë çështje dhe se projektligji synon që akuzat të kenë lidhje konkrete me pretendimet mbi të cilat është themeluar kjo gjykatë.

“Projektligji kërkon që akuzat të kenë lidhje konkrete me pretendimet për të cilat është themeluar kjo gjykatë, e jo zgjerim të mandatit. Duhet të ketë lidhje të qartë me misionin për të cilin është krijuar ky mekanizëm”, deklaroi Hamza.

Në fund, ai tha se drejtësia duhet të vazhdojë, por brenda kufijve të përcaktuar me ligj.

“Drejtësia vazhdon, por vazhdon aty ku ligji thotë se duhet të vazhdojë”, përfundoi Hamza.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit