Integrimi në Bashkimin Europian ka qenë prej dekadash një nga objektivat kryesorë të Shqipërisë. Vitet e fundit, vendi ka bërë hapa të rëndësishëm në negociatat e anëtarësimit, duke hapur të gjithë kapitujt dhe duke mbyllur përkohësisht tre prej tyre në korrik 2026.
Por në një tregues Shqipëria jo vetëm është afruar me Europën, por tashmë e ka kaluar atë: çmimet e ushqimeve.
Në vitin 2025, çmimet e ushqimeve në Shqipëri arritën në 102.9% të mesatares së BE-së, nga vetëm 66% në vitin 2016. Pra, një shportë ushqimore që në BE kushton mesatarisht 100 njësi, në Shqipëri kushton rreth 103.
Rritja ka qenë shumë më e shpejtë se përmirësimi i fuqisë ekonomike të shqiptarëve. PBB-ja për frymë ishte në 43% të mesatares së BE-së në 2025, ndërsa konsumi individual aktual (AIC) në 48%. Në vitin 2016, këta tregues ishin përkatësisht 30% dhe 37%.
Në vetëm dhjetë vjet, çmimet e ushqimeve kaluan nga 67.7% e nivelit europian në 2015, në 102.9% në 2025. Ndërkohë, konsumi individual për frymë u rrit me vetëm rreth 10 pikë përqindjeje, nga 38% në 48%.
Në vitin 2025, Shqipëria ishte i vetmi vend i rajonit ku çmimet e ushqimeve kaluan mesataren e BE-së.
Në Serbi ato ishin 96.6% të nivelit europian, në Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë 84.6%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 74.3%.
Presioni mbi çmimet ka vazhduar edhe në 2026. Në korrik, ushqimet dhe pijet joalkoolike në Shqipëri u shtrenjtuan me 3.2% në bazë vjetore, kundrejt vetëm 0.6% në BE.
Edhe rritja e të ardhurave për frymë duhet lexuar me kujdes. Pas Censit të vitit 2023, popullsia e Shqipërisë rezultoi rreth 2.4 milionë banorë, nga 2.8 milionë në vitin 2011. Një popullsi më e vogël rrit automatikisht disa tregues për frymë, pa nënkuptuar domosdoshmërisht të njëjtën rritje të mirëqenies reale.
Në terma nominalë, Shqipëria arriti rreth 11.2 mijë dollarë për frymë në 2025, por kur të ardhurat korrigjohen për nivelin e çmimeve, shifra është rreth 23.4 mijë dollarë ndërkombëtarë, ndërsa Maqedonia e Veriut arrin 29.7 mijë.
Kontrasti është i qartë: çmimet e ushqimeve janë afruar me Europën shumë më shpejt sesa fuqia blerëse e shqiptarëve.