Katër të rinj shqiptarë, të gjithë 17-vjeçarë në kohën kur janë regjistruar si të zhdukur, vijojnë të figurojnë në listat e personave që kërkohen në Angli.
Shërbimet sociale dhe organizata “Missing People” kanë publikuar apel për ndihmë nga publiku, ndërsa rastet e tyre datojnë nga viti 2018 deri në vitin 2022.
Bëhet fjalë për Bledar Ismailajn, i cili rezulton i zhdukur që prej vitit 2018. Në kohën e zhdukjes, ai ishte 17 vjeç dhe jetonte në Kings Lynn, Norfolk.
Një tjetër rast është ai i Ervis Ndrecës, i cili është larguar nga kujdesi i shërbimeve sociale në Hove, East Sussex, më 14 korrik 2022.
Në Sussex rezulton i zhdukur edhe Akil Dervishi. Ai është parë për herë të fundit më 4 maj 2022.
Ndërsa Denis Haliaj, gjithashtu 17 vjeç në kohën e zhdukjes, ishte akomoduar në zonën e Manchesterit pasi kishte mbërritur në Angli. Kontakti i fundit me të është regjistruar më 15 gusht 2021.
Rastet janë bërë publike edhe në Shqipëri. Përmes një raportimi të Top Channel, janë rikthyer në vëmendje të publikut të dhënat e organizatës “Missing People” dhe apeli për informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e tyre.
Problemi i fëmijëve shqiptarë që zhduken pasi mbërrijnë të pashoqëruar në Britaninë e Madhe është ngritur edhe më herët nga mediat britanike.
Në dhjetor 2022, BBC raportoi se 39 nga 197 fëmijë shqiptarë të pashoqëruar që ishin marrë në kujdes nga Kent County Council deri më 31 tetor të atij viti rezultonin të zhdukur. Shifrat ishin siguruar përmes një kërkese për informacion publik.
Autoritetet dhe organizatat që merren me mbrojtjen e fëmijëve kanë ngritur shqetësime për rrezikun e shfrytëzimit të të miturve të zhdukur, përfshirë trafikimin dhe forma të tjera të shfrytëzimit.
Në rastet e katër të rinjve të mësipërm, “Missing People” vijon të kërkojë ndihmën e publikut për çdo informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e tyre.