Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar mungesën e koshave të mbeturinave në Sarandë.
Sipas tij, banorët paguajnë taksat e ndërtesës, pastrimit dhe gjelbërimit, por në zonë ka vetëm 4 kosha për rreth 20 pallate, të cilët ndodhen mbi 200 metra larg banesave.
Në pamjet e dërguara në redaksi shihen mbeturina të shpërndara në rrugica, trotuare dhe pranë banesave. Dallohen arka me shishe, xhama, qese mbeturinash, valixhe dhe materiale të tjera të hedhura në mënyrë të çrregullt.
“Shikoni pastërtinë në Sarandë... se ku hidhen plehrat.”
Sipas banorëve, mungesa e koshave ka krijuar një situatë ku mbeturinat përfundojnë në hapësira të ndryshme, ndërsa qytetari thotë se banorët kanë nisur të përplasen edhe mes tyre për vendin ku hidhen mbetjet.
Pamjet tregojnë gjithashtu mbeturina përgjatë rrugës kryesore dhe në hapësirat pranë shkallëve.
JOQ Albania publikon pamjet dhe shqetësimin e banorëve, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse të verifikojnë situatën dhe të ndërhyjnë për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve në zonë.