Atentati në Sarandë ndodhi 67 metra larg komisariatit, policia arriti pas 10 minutash

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 20.09.2026, 15:20

Policia e Sarandës të dielën e ka pushim? Kjo është një nga pyetjet që mbetet pezull pas ekzekutimit të 44-vjeçarit Artan Myrtaj në qendër të qytetit.

Një video me dron e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania tregon qartë distancën mes komisariatit të Sarandës dhe vendit ku ndodhi atentati. Janë vetëm 67 metra që ndajnë institucionin e policisë nga vendi ku u qëllua për vdekje 44-vjeçari. Megjithatë, sipas të dhënave të bëra publike për ngjarjen, forcat e policisë kanë mbërritur rreth 10 minuta më vonë.

Një distancë që në kushte normale mund të përshkohet në pak sekonda me makinë, aq më tepër nga një mjet policie me sinjale, por që në këtë rast nuk u përkthye në një reagim të menjëhershëm.

Dhe ndërsa autorët kishin nevojë vetëm për pak çaste për të kryer atentatin dhe për t'u larguar, policia ndodhej vetëm disa metra larg. Megjithatë, kur forcat mbërritën në vendngjarje, autorët ishin zhdukur.

Myrtaj, i njohur në qytet si “Tani i Ruzhdiut”, sapo kishte konsumuar një kafe në një lokal pranë kryqëzimit te ish-agjencia, një zonë e populluar e Sarandës. Ai ishte ftuar nga një mik, por qëndroi vetëm pak minuta.

Teksa po largohej qetësisht, një motor me dy persona të veshur me skafandra iu afrua. Ata qëlluan në drejtim të 44-vjeçarit, por fillimisht nuk mundën ta godisnin. Myrtaj tentoi të largohej, por vetëm pak metra më tutje u përball sërish me breshërinë e plumbave, e cila rezultoi fatale.

Artan Myrtaj humbi jetën në vend.

Pas ngjarjes, policia deklaroi se grupi hetimor kishte ngritur pika kontrolli në drejtim të Gjirokastrës dhe Vlorës, në përpjekje për të identifikuar dhe kapur autorët.

Por pyetja që mbetet është shumë më pranë vendit të krimit: Si është e mundur që një atentat të ndodhë vetëm 67 metra larg komisariatit të policisë dhe autorët të kenë kohë të kryejnë krimin e të largohen, ndërsa forcat e policisë mbërrijnë rreth 10 minuta më pas?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit