Krimi në mes të ditës, pranë Policisë Sarandë! Ç’po bëjnë Hoda dhe Hita?

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 20.09.2026, 11:55

Krimi ka dalë në shesh, pa orar dhe pa frikë. Në qendër të Sarandës, në mes të ditës dhe rreth 30 metra nga Komisariati i Policisë, 44-vjeçari Artan Myrtaj i cili sapo kishe dalë nga burgu, u ekzekutua me armë zjarri. Dy persona që dyshohet se lëviznin me motor dhe mbanin skafandra hapën zjarr ndaj tij dhe u larguan, ndërsa plumbat goditën edhe një kalimtar të rastësishëm. Një atentat i kryer kaq hapur, në një zonë të frekuentuar dhe pranë institucionit policor, ka tronditur qytetin dhe ka ngritur pikëpyetje të forta mbi sigurinë.

44-vjeçari Artan Myrtaj, i cili u vra në Sarandë, sapo ishte ulur për kafe në një lokal pranë kryqëzimit të ish-agjencia, kur dy autorët, që kishin ardhur nga rruga “Lefter Talo”, iu afruan dhe qëlluan të paktën dy herë. Kafja ndodhet në mes të qytetit të Sarandës, ndërsa 44-vjeçari sapo ka pikasur autorët tentoi të të largohej me vrap drejt rrugës “Vangjel Pandi”. Dyshohet se të dy autorët kanë qëlluar me armë zjarri dhe ai u vra në mes të rrugës. Dhe këtu lindin pyetjet që kërkojnë përgjigje nga strukturat e Policisë, a kishte patrullime të mjaftueshme në qendër të Sarandës në atë moment? A kishte efektivë në lëvizje në një zonë me fluks të lartë qytetarësh dhe pushuesish? Si mundën dy persona të kryenin një atentat, të ndiqnin viktimën në rrugë dhe më pas të largoheshin, pavarësisht se ngjarja ndodhi vetëm 30 metra larg komisariatit?

Shefi i Komisariatit të Policisë së Sarandës është Feliks Hoda, ndërsa drejtuesi i Policisë së Shtetit është Skënder Hita. Hetimi duhet të zbardhë autorët, motivin dhe çdo rrethanë të atentatit, por vendi ku ndodhi vrasja e bën ngjarjen edhe më shqetësuese. Kur krimi guxon të dalë në shesh, kaq pranë policisë dhe në sytë e qytetarëve, siguria publike kërkon më shumë se reagim pas ngjarjes, kërkon përgjigje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit