Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të ngritur një shqetësim mbi sigurinë në rrugë gjatë natës.
Ai thotë se nuk ka për qëllim të denoncojë drejtuesin e mjetit apo të publikojë targën, por kërkon që pamjet të shërbejnë si një apel për më shumë kujdes nga drejtuesit e mjeteve.
Në videon e filmuar rreth orës 01:00 të natës, një mjet i madh transporti shihet duke lëvizur në rrugë me ndriçim të pamjaftueshëm nga pjesa e pasme, duke e bërë të vështirë dallimin e tij në errësirë.
“Jam shumë, po shumë i shqetësuar, sepse vetëm në Shqipëri shoferët nuk hapin sinjalet. Ora 1 e natës dhe ja ky ecën me drita fikur. Desh u rësha!”
Qytetari thekson se nuk bëhet fjalë vetëm për këtë rast, por sipas tij, ka shumë drejtues të tjerë që nuk përdorin siç duhet dritat dhe sinjalizuesit.
“Jo vetëm ky, por ka shumë të tjerë si ky. Dhe pastaj thonë pse bëhen aksidentet, për shkak të pakujdesisë, si dritat, sinjalet.”
Pamjet sjellin në vëmendje rëndësinë e përdorimit të sinjalizuesve dhe ndriçimit të mjetit, veçanërisht gjatë lëvizjes në orët e natës.
JOQ Albania publikon pamjet jo për të identifikuar drejtuesin, por si një apel për ndërgjegjësim dhe respektimin e rregullave bazë të sigurisë rrugore.