Banorët e zonës së Rindërtimit në Spitallë, Durrës, i janë drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar mungesën e ujit prej 4 ditësh.
Sipas tyre, dy blloqe banimi kanë mbetur pa ujë, ndërsa blloqet e tjera përreth vijojnë të kenë furnizim.
Në videot e dërguara në redaksi shihen rubinetet e banesave që hapen, por nga to nuk del asnjë pikë ujë.
Banorët thonë se kanë tentuar të kontaktojnë Ujësjellësin, por nuk kanë marrë përgjigje dhe nuk dinë ku të drejtohen për zgjidhjen e problemit.
Ata kërkojnë ndërhyrjen e strukturave përgjegjëse për rikthimin e furnizimit me ujë.
JOQ Albania publikon denoncimin dhe pamjet e banorëve, ndërsa pret një reagim nga institucionet përgjegjëse për furnizimin me ujë në zonë.