OSHEE lë fshatrat e Librazhdit pa energji elektrike: Po si sollëm dritat, rrini!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 19.09.2026, 19:55

“Kur të vijnë, do të vijnë, po nuk erdhën, rrini.”

Kështu pretendon një banore se i është përgjigjur operatori gjatë telefonatës për ndërprerjen e energjisë elektrike në disa fshatra të Librazhdit.

Qytetarja i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar mungesën e energjisë elektrike në Floq, Funarë, Zdrash dhe Oran, ku sipas saj banorët kanë mbetur pa drita prej rreth dy orësh.

Ajo thotë se ndërprerja ka ndodhur në një moment kur nuk ka pasur reshje shiu apo ndonjë situatë të pazakontë atmosferike. Për të marrë informacion mbi problemin dhe kohën e rikthimit të energjisë, banorët kanë telefonuar operatorët, por sipas denoncueses, nuk kanë marrë një përgjigje konkrete.

Madje, ajo pretendon se gjatë një prej telefonatave operatori ka reaguar me tone të ashpra, duke u thënë banorëve se nuk mund t’u jepte një afat për rikthimin e energjisë.

“Kur të vijnë, do të vijnë, po nuk erdhën, rrini”, tregon denoncuesja se i është thënë gjatë komunikimit telefonik.

Situata, sipas saj, është edhe më shqetësuese për familjet që kanë fëmijë të vegjël, ndërsa banorët kërkojnë që problemi të zgjidhet sa më shpejt.

JOQ Albania sjell shqetësimin e qytetares dhe pret një reagim nga operatori përgjegjës apo institucionet përkatëse për të sqaruar shkakun e ndërprerjes dhe kohën e rikthimit të energjisë elektrike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit