Pamje të filmuara me dron në Liqenin Artificial të Tiranës kanë sjellë në vëmendje gjendjen e ujit dhe praninë e peshqve të ngordhur në sipërfaqe.
Videoja, e realizuar gjatë paradites së sotme, tregon ujë me ngjyrë të gjelbër të errët dhe zona ku duken shtresa algash. Në një moment shihet edhe një peshk i ngordhur që lundron në sipërfaqe.
Qytetari tregon se po shëtiste me familjen kur vendosi të filmonte liqenin nga ajri, por pamjet që pa e shqetësuan.
“Kjo është një video e paradites së sotme nga liqeni. Po bëja shëtitje me familjen dhe mendova të filmoja diçka nga lart, por pamjet ishin vërtet të trishtueshme. Mu duk si vend grumbullimi i ujërave të zeza.”
Nga pamjet nuk mund të përcaktohet shkaku i ngjyrës së ujit apo i ngordhjes së peshkut dhe nuk mund të konfirmohet nëse bëhet fjalë për ndotje nga ujërat e zeza. Për këtë nevojitet verifikim dhe analizë nga institucionet përgjegjëse.
JOQ Albania publikon pamjet për të sjellë shqetësimin në vëmendje dhe për të kërkuar verifikimin e gjendjes së ujit në Liqenin Artificial të Tiranës.