Mblidhet shuma në kohë rekord: Falë solidaritetit të shqiptarëve, Lukasi i vogël niset drejt Italisë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 19.09.2026, 18:00

Një lajm i mirë vjen sot për Lukasin e vogël dhe familjen e tij. Vetëm dy ditë pas apelit për ndihmë, shqiptarët janë bashkuar për t’i ardhur në ndihmë foshnjës 3-javëshe dhe në kohë rekord është mbledhur shuma e nevojshme për trajtimin e tij.

Lukasi është nisur tashmë drejt Italisë, ku do të marrë trajtimin mjekësor që i nevojitet dhe do të vijojë betejën e tij për jetën. Një rrugëtim që deri pak ditë më parë dukej i vështirë për familjen, sot është bërë i mundur falë solidaritetit dhe zemërgjerësisë së shqiptarëve.

Lajmi i mirë është bërë i ditur nga imami Elvis Naçi, i cili ka publikuar pamje nga momentet e nisjes së vogëlushit.

Në video shfaqen prindërit e Lukasit, të emocionuar dhe të lumtur, ndërsa falënderojnë çdo shqiptar që kontribuoi për djalin e tyre. Ata shprehen se mezi presin ditën kur do ta shohin Lukasin të shëruar, pa tubat që sot i nevojiten dhe përsëri në krahët e tyre.

“Lukasi 3 javësh niset në kohë rekord për Itali për shërim”, shkruan Elvis Naçi, ndërsa kërkon që shqiptarët të vazhdojnë të luten për vogëlushin.

“Zoti ju shpërbleftë për çdo lutje tuajën. Zoti ju shpërbleftë për çdo kontribut”, shkruan ai.

Apeli për Lukasin u publikua nga JOQ Albania të enjten. Foshnja, e cila ka lindur me një problem të rëndë në mushkëri, ndodhej e intubuar në spital dhe kishte nevojë për trajtim të specializuar jashtë vendit.

Familja Vladaj nga Shkodra kishte nevojë për rreth 95 mijë dollarë për trajtimin dhe shpenzimet e lidhura me të, ndërsa vetëm transporti drejt Italisë me ambulancë ajrore parashikohej të kushtonte rreth 30 mijë dollarë.

Më pak se 48 orë më vonë, apeli ka marrë përgjigjen më të bukur që mund të merrte: shuma është mbledhur dhe Lukasi është nisur drejt Italisë.

Beteja për vogëlushin nuk ka përfunduar ende dhe familja ka ende nevojë për lutjet e të gjithëve. Por sot, pas kaq shumë ankthi, prindërit e tij kanë një arsye të madhe për të buzëqeshur dhe për të shpresuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit