Alarmi nga Nili Perëndimor në Kosovë/ 2 viktima dhe 7 të infektuar, mes tyre edhe të rinj

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 19.09.2026, 16:42

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka konfirmuar 7 raste me virusin e Nilit Perëndimor, ndërsa gjatë kësaj jave janë raportuar edhe dy viktima.

Rastet janë konfirmuar nga 7 gushti deri më 18 shtator. Pesë të infektuar janë meshkuj dhe dy femra, ndërsa dy prej pacientëve janë të grupmoshës 10–19 vjeç. Tre raste janë regjistruar në Gjakovë, ndërsa nga një në Prishtinë, Shtime,Ferizaj dhe Pejë.

Të gjithë pacientët janë hospitalizuar në Klinikën Infektive të QKUK-së, disa prej tyre me meningjit dhe meningoencefalit akut.

IKSHPK thotë se deri tani nuk është gjetur lidhje epidemiologjike mes rasteve, ndaj ato konsiderohen sporadike. Vetëm një prej të infektuarve kishte udhëtuar jashtë Kosovës.

Instituti u ka kërkuar komunave të intensifikojnë dezinsektimin kundër mushkonjave, ndërsa qytetarëve u rekomandohet përdorimi i repelentëve, rrjetave mbrojtëse dhe veshjeve që mbulojnë trupin.

Personat që shfaqin temperaturë, dhimbje koke, lodhje, skuqje të lëkurës apo shenja neurologjike këshillohen të kërkojnë menjëherë vlerësim mjekësor.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit