Në një deklaratë të bërë nga paraburgimi ku ndodhet prej 19 muajsh, Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka propozuar që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të shpallen “Qytetarë Nderi” të kryeqytetit.
Ish-drejtuesit e UÇK-së sot përballen me një proces gjyqësor në Hagë, ku pesha e historisë dhe sakrifica e tyre mbeten incontestuese për opinionin publik. Veliaj nuk mund të harronte pa përmendur se drama e tij personale në izolim zbehet përballë kësaj kauze më të madhe, duke kërkuar që Tirana t'u njohë zyrtarisht kontributin historik.
Ajo që bie në sy dhe krijon një kontrast të fortë politik, është pikërisht diferenca mes veprimeve të krahut politik në pushtet. Nga njëra anë kërkohen tituj nderi nga qelia e paraburgimit për krerët e UÇK-së, ndërsa nga ana tjetër, po e njëjta shumicë parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë votoi kundër rezolutës për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë.
Ky qëndrim i dyfishtë tregon lehtësinë me të cilën politika e ditës përdor simbolet e luftës dhe figurat e saj: mirënjohja dhe titujt honorifikë shpërndahen me bujari kur shërbejnë për mesazhe publike, por kur vjen puna për të mbajtur një qëndrim të prerë institucional e ligjor ndaj krimeve të luftës në Kuvend, diplomacia e partive zgjedh të frenojë.
Lufta e UÇK-së dhe krerët e saj e kanë të garantuar vendin në histori nga sakrifica e tyre, pavarësisht nëse politika zgjedh t'i nderojë vetëm atëherë kur i përshtatet diskursit të ditës.