Dy shtetas shqiptarë janë dënuar me burgim në Francë, pasi u shpallën fajtorë për përfshirje në një rrjet trafiku heroine që vepronte në rajonin Haut-Bugey. Sipas mediave franceze, hetimi i policisë gjyqësore të Oyonnax nisi në mars dhe u intensifikua gjatë muajve të verës përmes survejimeve dhe vëzhgimeve në terren. Droga dyshohet se shpërndahej përmes një llogarie në WhatsApp, ndërsa takimet me klientët zhvilloheshin në zona të pyllëzuara pranë Echallon dhe Samognat.
Hetimi nisi pas një denoncimi anonim për një rrjet droge që dyshohej se drejtohej nga shtetas shqiptarë. Autoritetet dyshuan se bëhej fjalë për riaktivizimin e një grupi të njohur më herët si “Ronaldo”, për shkak të ngjashmërisë në mënyrën e funksionimit dhe paketimit të lëndës narkotike. Njëri prej të arrestuarve, Armando Rexhepi, 40 vjeç, ishte identifikuar nga hetuesit gjatë lëvizjeve të tij mes Oyonnax dhe pikave të shpërndarjes.
Rexhepi u arrestua më 14 shtator me 38 qese heroinë, me peshë totale 188 gramë, si dhe 12 doza kokaine, me peshë 11 gramë. Bashkë me të u arrestua edhe 24-vjeçari Enea Kica. Gjatë kontrollit në apartamentin ku qëndronte Kica u gjetën dy çanta me dhjetëra qese heroine, 8,080 euro cash, një peshore precize, celofan dhe materiale të tjera për paketimin e drogës. Të dy u përballën me drejtësinë franceze për përfshirjen e dyshuar në rrjetin e trafikut.