Situata në Qendrën Shëndetësore nr. 2 në qytetin e Fierit vijon të mbetet problematike, pavarësisht shqetësimeve të ngritura disa herë nga qytetarët.
Qendra, e cila ofron shërbim shëndetësor për rreth 15 mijë banorë, ndodhet në katin e tretë të një godine dhe përballet me probleme të theksuara të higjienës dhe kushteve infrastrukturore, përfshirë lagështirën dhe mykun. Mungesa e ashensorit e vështirëson edhe më tej aksesin, veçanërisht për të moshuarit dhe pacientët me probleme të rënda shëndetësore.
Qytetarët shprehen se prindërit e tyre, shumë prej tyre në moshë të thyer, e kanë të pamundur të ngjisin shkallët deri në katin e tretë për të marrë shërbimin shëndetësor. Sipas tyre, edhe kontrollet rutinë, përfshirë check-up-et, bëhen të vështira ose të pamundura për këtë kategori pacientësh.
“Prindërit tanë 75 vjeç nuk munden dot të ngjisin shkallët për të marrë shërbim në katin e tretë. As check-up nuk kanë mundësi të bëjnë, edhe pse është dhënë urdhër për kryerjen e tyre”, shprehen qytetarët.
Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për përmirësimin e kushteve dhe zgjidhjen e problemit të aksesit në qendër, duke theksuar se institucionet përgjegjëse janë vënë në dijeni disa herë për situatën.
Qytetarët kërkojnë që shqetësimi i tyre të mos mbetet vetëm në denoncime, por të pasohet nga ndërhyrje konkrete për garantimin e kushteve të përshtatshme dhe të aksesueshme të shërbimit shëndetësor.
