Raporti hetimor: Si Raiffeisen po ndihmon Rusinë të anashkalojë sanksionet

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 18.09.2026, 22:24

Raiffeisen Bank International AG (RBI), banka më e madhe perëndimore që vazhdon të operojë në Rusi, është kthyer në një nga kanalet kryesore për shmangien e sanksioneve ndërkombëtare, ndërsa publikisht deklaronte se po mbyllte aktivitetin e saj në këtë shtet.

Sipas një hetimi të publikuar nga "Grizzly Research", banka austriake ka shërbyer si urë lidhëse për anashkalimin e kufizimeve në tregtinë ruse me një vlerë prej mbi 1 miliard dollarësh. Kjo tregti përfshin mallra të ndaluara nga sanksionet e BE-së, SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Zvicrës.

Pajisje ushtarake dhe pjesë për raketa bërthamore

Raporti thekson se regjistrimet doganore mbajnë kodin e regjistrimit të kontratës /3292/ të vetë AO Raiffeisenbank, duke e lidhur drejtpërdrejt bankën me transaksionet e ndaluara. Nga kjo shumë, rreth 106.75 milionë dollarë përkojnë me mallra që përdoren drejtpërdrejt në armatimet ruse, përfshirë:

  • Dylbi për pushkë luftarakë.

  • Komponentë dhe pjesë këmbimi për tanket ruse.

  • Makineri-vegla që shërbejnë për ndërtimin e kokave bërthamore dhe raketave balistike.

Përveç kësaj, të dhënat doganore zbulojnë se më shumë se 10 milionë dollarë tregti me Iranin dhe Korenë e Veriut mbajnë kodin e Raiffeisenbank, ndërsa një verifikim i veçantë konfirmon të paktën 49 milionë dollarë të tjera tregti të regjistruar me 33 palë të sanksionuara.

Eksperimenti i fshehtë: Ndihmë për dronë dhe tregti me Iranin

Gjatë hetimit të fshehtë të kryer nga "Grizzly Research", agjentët testuan reagimin e stafit të bankës ndaj kërkesave që përfshinin klientë ushtarakë rusë dhe tregti me Iranin.

Rezultatet e eksperimentit zbuluan se:

  • Një menaxher i bankës ra dakord me një marrëveshje tregtare me Iranin, duke udhëzuar se si të anashkaloheshin kontrollet e eksportit amerikan.

  • Disa zyrtarë të tjerë konfirmuan se një fond që blinte dronë për luftën në Ukrainë mund të hapte llogari pa pengesa.

  • Këshilltarë që ndihmojnë rusët të nxjerrin para jashtë vendit pranuan se stafi i bankës u jep udhëzime direkte klientëve mbi mënyrat se si t'u ikin sanksioneve.

Këto gjetje ekspozojnë një hendek të madh mes deklaratave publike të drejtuesve të Raiffeisen Bank për respektimin e sanksioneve dhe veprimeve konkrete të stafit të saj në mbështetje të ekonomisë ruse të luftës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit