Është publikuar fotoja e 35-vjeçarit nga Kurbini, Ferdinant Hoti, i cili u gjet i vrarë brenda një automjeti të hedhur në lumin Tergola në Itali. Trupi i pajetë i të riut është sjellë tashmë në Shqipëri, ndërsa ceremonia mortore do të zhvillohet këtë të diell në fshatin Gurrëz të Kurbinit, ku familjarët dhe të afërmit do t’i japin lamtumirën e fundit.
Sipas medieve italiane, Hoti është ekzekutuar me një plumb të vetëm në kokë. Hetuesit besojnë se krimi i rëndë ka ndodhur në provincën e Venecias ku ai jetonte, dhe jo në San Giorgio delle Pertiche, vendi ku u zbulua automjeti. Autorët dyshohet se e kanë transportuar trupin pas ekzekutimit për të zhdukur gjurmët.
Mënyra e fshehjes së trupit ngre dyshime se në skemë janë përfshirë disa persona, të cilët mund të kenë bërë kontrolle paraprake në zonë. Vendi ku u braktis makina ndodhet në rrugë dytësore dhe është i vështirë për t'u gjetur nga persona që nuk e njohin mirë territorin.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e motiveve të vrasjes. Përveç pistës së prishjes së pazareve të drogës, po verifikohet edhe një hakmarrje e mundshme e lidhur me një atentat të ndodhur në natën mes 30 qershorit dhe 1 korrikut në Zianigo di Mirano. Në atë ngjarje, një tjetër shqiptar u plagos me armë zjarri në shpatull pranë banesës së tij. Po shqyrtohet nëse Hoti kishte lidhje me rrethin e personave të përfshirë, megjithëse deri më tani autoritetet italiane nuk kanë gjetur prova konkrete që bashkojnë të dyja ngjarjet.