Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka kërkuar organizimin e një referendumi popullor në Kosovë lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ahmeti deklaroi se, meqë vendimi i Dhomave të Specializuara është dhënë në emër të popullit të Kosovës, atëherë qytetarët duhet të kenë mundësi të shprehen për të përmes referendumit.
“Pasi vendimi i Dhomave të Specializuara u dha në emër të popullit të Kosovës, atëherë do të ishte e logjikshme që vetë populli të deklarohet përmes referendumit”, tha Ahmeti.
Sipas tij, rezultati i referendumit duhet të jetë detyrues për Dhomat e Specializuara.
Ahmeti kërkoi gjithashtu që institucionet e Kosovës të angazhohen për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së dhe që, deri në vendimin përfundimtar të Apelit, atyre t’u mundësohet qëndrimi në shtëpi nën garancitë e Policisë dhe shtetit të Kosovës.
Ai bëri thirrje edhe për unitet politik dhe mbështeti protestat paqësore lidhur me vendimin e Speciales.