Babai i aksidentuar, nëna e sëmurë: Drama e familjes me dy fëmijë të vegjël që kërkon ndihmë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 18.09.2026, 19:54

Linku i GoFundMe

Një familje me dy fëmijë të vegjël nga Durrësi i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një apel për ndihmë, pasi thotë se prej disa muajsh po përballet me vështirësi të mëdha shëndetësore dhe ekonomike.

Në një video të dërguar në redaksi, babai i dy fëmijëve tregon se është dëmtuar në vendin e punës dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sipas tij, ai ka punuar pa sigurime dhe nuk ka përfituar dëmshpërblim pas dëmtimit. Aktualisht, ai shprehet se nuk është në gjendje të punojë, pasi vijon trajtimin, mjekimet dhe vizitat mjekësore.

Edhe bashkëshortja e tij, sipas familjes, po përballet me probleme shëndetësore dhe aktualisht punon vetëm disa orë si pastruese, me të ardhura që familja thotë se nuk mjaftojnë për të përballuar shpenzimet.

Familja jeton me qira dhe pretendon se nuk ka mundur ta paguajë atë prej tre muajsh. Sipas babait, pronarja u ka kërkuar të largohen nga banesa nëse detyrimet nuk shlyhen. Përveç qirasë, familja thotë se ka edhe detyrime të papaguara për energjinë elektrike, ujin dhe borxhe në dyqane, ku tashmë nuk u japin më ushqime pa shlyer detyrimet.

“Jam në një gjendje që nuk kam paguar qiranë për tre muaj dhe më kanë thënë që duhet të largohem nga shtëpia nëse nuk paguaj. Edhe nëpër dyqane kam borxhe dhe ushqime nuk japin më nëse nuk paguaj”, shprehet ai në videon drejtuar redaksisë.

Babai thotë se dëshira e tij është të shërohet dhe të rikthehet në punë, por aktualisht nuk ka marrë ende lejen e mjekut për të punuar. Ndërkohë, shqetësimi më i madh i familjes është strehimi dhe nevojat e dy fëmijëve të vegjël.

Familja ka hapur edhe një fushatë për mbledhjen e ndihmave, ndërsa apelon për kontribut nga kushdo që ka mundësi, sado i vogël të jetë ai.

“Doja një ndihmë sado të vogël sa të shërohem, që të vazhdoj përsëri punën”, shkruan babai në apelin e familjes.

Kushdo që ka mundësi t’i ndihmojë, mund të kontribuojë përmes fushatës së mësipërme, në mënyrë që familja të përballojë shpenzimet urgjente dhe të mos mbetet pa një çati mbi kokë bashkë me dy fëmijët e vegjël.

Nr kontakti me familjen: +355 68 922 7112

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit