Gati gjysma e shqiptarëve mezi mbyllin muajin, vetëm Kosova me pagë më të ulët në rajon

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 18.09.2026, 08:59

Për shumë familje shqiptare, fundi i muajit nuk është thjesht një datë në kalendar, por një sfidë për të paguar faturat dhe shpenzimet e zakonshme.

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2023, 46.3% e shqiptarëve deklarojnë se e mbyllin muajin me vështirësi ose me shumë vështirësi. Konkretisht, 32.9% thonë se hasin vështirësi, ndërsa 13.4% e konsiderojnë situatën shumë të vështirë. Shifra e vendos Shqipërinë ndër vendet me nivelin më të lartë të vështirësisë ekonomike në Europë.

Më keq paraqitet Greqia, ku 67% deklarojnë vështirësi ose shumë vështirësi për të përballuar shpenzimet mujore.

Situata nuk duket më mirë as kur Shqipëria krahasohet me rajonin. Në Maqedoninë e Veriut përqindja raportohet 43.8%, në Mal të Zi 37.9% dhe në Serbi 31.2%. Pagat e ulëta përballë çmimeve të larta e bëjnë edhe më të fortë presionin mbi xhepat e shqiptarëve.

Sipas të dhënave të publikuara nga Monitor, paga mesatare bruto në Shqipëri ishte rreth 860 euro në muaj gjatë vitit 2025.

Në të njëjtën periudhë, paga mesatare bruto raportohej rreth 1,290 euro në Serbi, 1,245 euro në Bosnjë-Hercegovinë, 1,206 euro në Mal të Zi dhe rreth 1,100 euro në Maqedoninë e Veriut.

Vetëm Kosova rezultonte poshtë Shqipërisë, me rreth 713 euro bruto në muaj.

Hendeku bëhet shumë më i dukshëm përballë BE-së, ku paga mesatare bruto vjetore për një punonjës me kohë të plotë ishte rreth 39,800 euro në vitin 2024, ekuivalente me afërsisht 3,317 euro në muaj.

Ndërkohë, shqiptarët nuk përballen vetëm me paga të ulëta. Në vitin 2025, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri arriti në 102.9% të mesatares së Bashkimit Europian, duke e kaluar atë për herë të parë dhe duke u pozicionuar në nivelin më të lartë në rajon.

Pra, ndërsa të ardhurat vazhdojnë të jenë shumë larg standardit europian, çmimet e ushqimeve tashmë e kanë kapërcyer mesataren e BE-së.

Një kombinim që shpjegon pse për gati gjysmën e shqiptarëve, “si ta mbyllim muajin?” mbetet ende pyetja kryesore e buxhetit familjar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit