Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar gjendjen e rrugës në Njësinë Administrative Funar, Elbasan.
Sipas tij, rruga është e amortizuar dhe prej rreth një jave aty janë hedhur grumbuj çakulli, por materiali ende nuk është shpërndarë për të mbushur gropat dhe për të përmirësuar gjendjen e rrugës.
Në pamjet e dërguara në redaksi, të filmuara gjatë natës nga një automjet në lëvizje, shihen gropa dhe dëmtime të shumta në rrugë, ndërsa në disa pjesë dallohen edhe grumbujt e çakullit të lënë anash.
Sipas denoncuesit, situata vështirëson qarkullimin e mjeteve dhe banorët presin prej ditësh ndërhyrjen për rregullimin e rrugës.
“Njësia Administrative Funar nuk kanë dalë me mbush gropat. Ka një javë që rri çakulli dhe nuk i mbushin gropat.”
Banori kërkon që strukturat përgjegjëse të ndërhyjnë dhe të përfundojnë punimet, në mënyrë që rruga të bëhet e kalueshme dhe më e sigurt për banorët.
JOQ Albania publikon pamjet dhe denoncimin e qytetarit, ndërsa pret një reagim nga institucionet përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës.