Një nënë e vetme i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të kërkuar ndihmë urgjente për djalin e saj 13-vjeçar, i cili, sipas saj, përballet me një çrregullim të spektrit të autizmit dhe ka nevojë për trajtim dhe mbështetje të vazhdueshme.
Nëna tregon se jeton vetëm me djalin dhe është e papunë. Sipas saj, djali është shtruar dy herë në spital, por pas daljes gjendja e tij përkeqësohet sërish.
Ajo thotë se djali ka nevojë për terapi, psikolog dhe një strukturë të përshtatshme ku të mund të trajtohet dhe aktivizohet, pasi është izoluar në shtëpi dhe nuk pranon të shkojë në shkollë.
Sipas saj, pavarësisht kërkesave të bëra, Shërbimet Sociale nuk kanë marrë përsipër t’i sigurojnë këto shërbime.
“Djalit i duhet terapi, shkollë, por nuk bindet të shkojë. Nuk më kanë ofruar këto të Sociales. Duhet të vijë një psikolog ta bindë për të dalë nga shtëpia dhe duhet të ma sigurojnë këto të Sociales. Megjithëse ju kam kërkuar, nuk ma ofrojnë.”
Në pamjet e dërguara në redaksi shihen kushtet e vështira në banesë. Nëna tregon se djali ka dëmtuar mobiliet dhe pajisjet e shtëpisë, ndërsa familja tashmë ka mbetur edhe pa disa prej sendeve bazë.
Ajo thotë se nuk ka mundësi ekonomike për t’i zëvendësuar ato dhe se nuk mund të punojë, pasi duhet të qëndrojë vazhdimisht me djalin.
Apeli i saj është i drejtpërdrejtë: kërkon ushqime, ujë, ndihmë monetare, pastrim dhe higjienizim të banesës, si dhe ndihmë për të zëvendësuar mobiliet e dëmtuara.
“Nuk kam lek për ujë as bukë. Të më ndihmojnë të zëvendësoj mobiljet. Një ndihmë me pastrim shtëpie, ndihmë monetare. Çdo lloj ndihme kam nevojë.”
Nëna shprehet se aktualisht të ardhurat e vetme që merr janë pagesat e djalit nga KEMP-i, të cilat, sipas saj, dalin pas datës 25, duke e lënë familjen pa mundësi për të përballuar nevojat bazë deri atëherë.
Ajo kërkon gjithashtu që institucionet të ndërhyjnë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për trajtimin dhe aktivizimin e djalit.
JOQ Albania publikon apelin e nënës me shpresën që qytetarët të ndihmojnë familjen me ushqime, ujë dhe nevojat e tjera bazë, ndërsa kërkon nga Shërbimet Sociale dhe institucionet përgjegjëse të verifikojnë rastin dhe të ofrojnë mbështetjen e nevojshme.
Për ndihmë/kontakt: 069 565 9279