Një banor i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një problem të përsëritur me parkimet dhe bllokimin e rrugëve në zonën e Ali Demit, në Tiranë.
Sipas banorit, automjetet e parkuara në mënyrë të parregullt pengojnë çdo ditë lëvizjen e banorëve, duke bërë të vështirë daljen nga banesat dhe nga parkimet e tyre.
“Ju lutem postojeni se s’po gjejmë zgjidhje. Përditë s’po dalim dot nga shtëpitë dhe nga parkimet që kemi blerë nga 30 mijë euro, se ka shoferë të papërgjegjshëm në Ali Dem, te Kontakti.”
Në videon e dërguar në redaksi shihen automjete të parkuara përgjatë rrugëve dhe hapësirave të kompleksit, duke ngushtuar hapësirat e kalimit.
Në pamje dëgjohen gjithashtu banorët që shprehen të shqetësuar për situatën dhe për mungesën e ndërhyrjes.
“Të bllokojnë çdo ditë, policia nuk vjen, s’ka masa. Kjo është një tmerr. Të kesh blerë 30 mijë euro parkimin edhe s’dalim dot nga shtëpia, për këtë shtet që kemi.”
Banorët kërkojnë që të merren masa ndaj automjeteve që bllokojnë rrugët dhe hyrje-daljet, në mënyrë që të garantohet lëvizja normale e banorëve.
JOQ Albania publikon pamjet dhe shqetësimin e banorëve, ndërsa kërkon verifikimin e situatës dhe ndërhyrjen e strukturave përgjegjëse për parkimin dhe qarkullimin në zonë.