Dënohet me 3 vjet burg 34-vjeçari shqiptar në Britani

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 17.09.2026, 19:52

Një 34-vjeçar shqiptar është dënuar me 3 vjet burg në Britani, pasi policia gjeti mbi 27 mijë paund cash të fshehura në banesën e tij, ndërsa hetimi zbuloi se merrej me shitjen e kokainës dhe kanabisit.

Santiago Sadiku, banues në Vauxhall Road, Gloucester, u paraqit më 10 shtator në Gjykatën e Kurorës në Gloucester, ku u deklarua fajtor për përfshirje në furnizimin me kokainë dhe kanabis, si dhe për posedim të pasurisë kriminale në shumën prej £27,036.85.

Hetimi nisi pas një operacioni policor më 10 gusht në zonën Barton të Gloucesterit. Në kontrollin e banesës morën pjesë efektivë të ekipit të mbështetjes së lagjes, njësia e qenve dhe ajo e dronëve, ndërsa gjatë operacionit u sekuestruan drogë dhe para cash.

Policia sekuestroi edhe telefonin e Sadikut. Ekspertiza e mesazheve në WhatsApp zbuloi komunikime që, sipas autoriteteve, dëshmonin se ai shiste kokainë dhe kanabis.

Një pjesë e parave ishte fshehur në papafingon e banesës, brenda një çante të verdhë të JD Sports, ku u gjetën rreth £20 mijë në kartëmonedha. Në dhomën e gjumit u gjet një tjetër çantë me rreth £4,500 në paund britanikë dhe £20 në monedhë skoceze, ndërsa në një shishe plastike kishte edhe monedha me vlerë rreth £2,100.

Sipas policisë, gjetja e shumës së konsiderueshme të parave, së bashku me komunikimet në telefon dhe drogën e sekuestruar, përforcoi provat se 34-vjeçari ishte i përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Pas deklarimit fajtor për akuzat, Sadiku u dënua me 3 vite burg.

Një zëdhënës i policisë së Gloucester dhe Forest tha se dënimi do të thotë që Sadiku nuk do të jetë më në gjendje të ndikojë në komunitetin lokal përmes aktivitetit të tij në shpërndarjen e drogës, duke shtuar se autoritetet do të vijojnë përpjekjet për të goditur personat e përfshirë në këtë veprimtari në Gloucestershire.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit