Vetëm tre javësh, Lukasi i vogël po lufton me vdekjen dhe ka nevojë për ndihmën e shqiptarëve

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 17.09.2026, 19:08

Linku i GoFundMe

Vetëm 3 javësh, Lukasi po lufton për jetën në një inkubator, ndërsa familja e tij nga Shkodra shpreson që ai të mund ta marrë trajtimin që i nevojitet jashtë vendit.

Apeli për ndihmë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania dhe lidhet me një fushatë në GoFundMe të hapur nga Fondacioni Firdeus për të ndihmuar familjen Vladaj në përballimin e kostove të trajtimit të foshnjës.

Sipas apelit, Lukasi ka lindur me një problem të rëndë në mushkëri dhe menjëherë pas lindjes është transportuar drejt Tiranës, ku është intubuar dhe vijon të qëndrojë nën kujdesin mjekësor. Për shkak të gjendjes së tij, prindërit nuk kanë mundur ta përqafojnë apo ta mbajnë në krahë siç kishin ëndërruar.

Familja kishte përgatitur gjithçka për ardhjen e tij në jetë. Vëllezërit e prisnin me padurim, i përkëdhelnin barkun nënës dhe numëronin ditët deri në momentin kur do të takonin vëllain e vogël. Por lindja e Lukasit solli menjëherë një realitet krejt tjetër, me prindërit që sot qëndrojnë pranë spitalit dhe presin çdo lajm për gjendjen e tij.

Për Lukasin nevojitet një shumë totale prej rreth 95 mijë dollarësh për trajtimin dhe shpenzimet e lidhura me të. Vetëm transporti i tij drejt spitalit jashtë vendit me një ambulancë ajrore, avion të pajisur posaçërisht për transportimin e pacientëve nën kujdes mjekësor, parashikohet të kushtojë rreth 30 mijë dollarë. Gjendja e foshnjës kërkon që udhëtimi të kryhet me këtë lloj transporti të specializuar, duke e bërë edhe më të vështirë për familjen përballimin e kostove.

Sipas familjes, shpresa për shërimin e Lukasit lidhet me mundësinë e trajtimit jashtë vendit, por kostot janë të papërballueshme për ta. Për këtë arsye, ata u drejtohen shqiptarëve për ndihmë, duke kërkuar që secili të kontribuojë sipas mundësive.

Çdo kontribut, sado i vogël, mund të ndihmojë familjen Vladaj në përpjekjen për t’i dhënë Lukasit mundësinë të marrë trajtimin që i nevojitet dhe të kthehet një ditë në shtëpi, aty ku vëllezërit e tij e presin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit