Një manovër e rrezikshme në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të Vorës, për pak sa nuk është kthyer në një aksident me pasoja të rënda.
Pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania janë dërguar nga një qytetar, i cili kërkon të sensibilizojë drejtuesit e mjeteve për rrezikun që mund të sjellin shpejtësia dhe parakalimet e gabuara në rrugë.
Në video, të regjistruar nga kamera e një automjeti, shihet një makinë që lëviz me shpejtësi dhe tenton të kalojë në hapësirën mes një automjeti tjetër dhe një betoniereje. Pas manovrës, drejtuesi humb kontrollin e mjetit, i cili përplaset me barrierën anësore të autostradës.
Sipas qytetarit që ka dërguar pamjet, drejtuesi ishte një i ri rreth 20-vjeç. Fatmirësisht, aksidenti nuk ka shkaktuar pasoja në njerëz, por vetëm dëme materiale.
Një moment i tillë mjafton për të treguar se sa e vogël mund të jetë distanca mes një manovre të rrezikshme dhe një tragjedie. Në autostradë, një parakalim i gabuar apo një shpejtësi e papërshtatshme nuk rrezikon vetëm personin që ndodhet pas timonit, por edhe çdo drejtues tjetër që gjendet në të njëjtën rrugë.
Aksidenti duhet të shërbejë si një mësim për të riun që ndodhej në timon dhe për çdo drejtues tjetër që e konsideron autostradën si vend për manovra të tilla. Disa sekonda nxitim mund të kushtojnë shumë më tepër sesa disa minuta të fituara në rrugë.