“Dy karburante në Bulqizë vidhen gjatë natës, hajdutët lëvizin lirshëm në qytetin pa policë”

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 17.09.2026, 15:23

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Bulqizës gjatë orëve të para të mëngjesit, ku dy pika karburanti në Bulqizë dhe Fushë-Bulqizë janë grabitur me dhunë.

Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:54. Autorët dyshohet se kanë marrë me dhunë xhiron ditore të dy pikave të karburantit, konkretisht 18.300 lekë në njërën pikë dhe 38.600 lekë në tjetrën.

Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim një prej autorëve të dyshuar, shtetasin A. H., 32 vjeç, banues në Bulqizë, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e personit tjetër që dyshohet se ka qenë i përfshirë në ngjarje.

Gjatë kontrolleve në zonë, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një automjet tip “Toyota”, pa targa, si dhe një motomjet, të dyshuar se janë përdorur gjatë grabitjeve.

Ndërkohë, një qytetar i Bulqizës i është drejtuar JOQ Albania, duke treguar se rreth orës 00:28, teksa po kthehej nga Peshkopia, është përballur në hyrje të Bulqizës me një automjet “Toyota”, pa targa, të ndaluar në anë të rrugës.

Qytetari thotë se në zonë nuk ka ndriçim dhe nuk ka konstatuar prezencë policie në atë moment. Ai shprehet se nuk mund të përcaktojë nëse personat që ndodheshin pranë automjetit sapo kishin kryer grabitjen apo po prisnin për të vepruar.

Po kthehesha nga Peshkopia dhe rastësia më ndeshi në rrugë me autorët e vjedhjes në hyrje të Bulqizës. Ishin të armatosur, zona ishte pa ndriçim dhe nuk kishte prezencë policie askund”, shprehet qytetari.

Ai ngre gjithashtu shqetësimin për sigurinë në qytet gjatë orëve të natës, duke pretenduar se pas orës 00:30 nuk shikon patrulla policie në zonë.

Populli paguan taksa për sigurinë dhe jo që bandat të bëjnë xhiro”, shprehet më tej qytetari, duke kërkuar rritjen e sigurisë dhe praninë e strukturave policore gjatë natës.

Policia bën me dije se vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e personit të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin e autorit tjetër të dyshuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit