Një denoncim i ardhur në redaksinë tonë ngre dyshime për një skemë të përsëritur mashtrimi në një biznes fruta-perimesh në zonën e Don Boskos, pranë burgut. Sipas denoncueses, një burrë i moshuar, i gjatë dhe i shëndoshë, që mban kapele, ka hyrë në dyqan rreth orës 15:30 dhe fillimisht ka këmbëngulur që t’i thyenin kartëmonedha të mëdha në prerje më të vogla. Më pas, për të krijuar besim, ai ka porositur disa kilogramë fruta dhe perime dhe ka marrë 10 mijë lekë me pretendimin se do të kthehej pak më vonë për të marrë porosinë dhe për të shlyer shumën.
Sipas denoncueses, personi është larguar qetësisht duke deklaruar se do të rikthehej sapo të sillte makinën, por nuk është kthyer më dhe as porosinë nuk e ka marrë. Ajo pretendon se e njëjta situatë i kishte ndodhur rreth një vit më parë edhe pronares së biznesit, po me të njëjtin person, i cili sipas saj i kishte marrë një shumë më të madhe parash duke përdorur të njëjtën mënyrë veprimi. Denoncuesja thotë se ka në dispozicion pamje nga kamerat e sigurisë që dokumentojnë komunikimin me personin.
Ngjarja është raportuar si një shqetësim për bizneset e zonës, ndërsa denoncuesja kërkon që rasti të bëhet publik për të paralajmëruar edhe shitës të tjerë që mund të përballen me të njëjtën situatë. Ajo ka kërkuar që identiteti dhe zëri i saj të mos publikohen. Pretendimet e mësipërme janë pjesë e denoncimit të saj dhe nuk përbëjnë një konstatim të pavarur për fajësinë e personit të përmendur.