Një qytetar i është drejtuar JOQ Albania për të denoncuar një problem me aksesin në portalin shtetëror e-Albania.
Sipas tij, që prej ditës së premte ka dërguar email-e te Helpdesk për të kërkuar riaktivizimin e llogarisë së tij, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Qytetari ngre shqetësimin se mungesa e aksesit në portal mund të krijojë vështirësi për persona që kanë nevojë urgjente për një shërbim shtetëror, veçanërisht në raste të ndjeshme apo emergjente.
“Kam kaq ditë që ju nis email dhe s’të kthejnë email”, shprehet ai, duke kërkuar që shqetësimi të bëhet publik.
Kjo nuk është hera e parë që qytetarët përballen me probleme të tilla në e-Albania. Pavarësisht se portali përdoret për shërbime të rëndësishme shtetërore, qytetarët vijojnë të hasin probleme me aksesin dhe, mbi të gjitha, me mungesën e një përgjigjeje apo zgjidhjeje në kohë nga strukturat përgjegjëse.
