Numri i personave mbi 64 vjeç që vijojnë të punojnë po rritet ndjeshëm, në një kohë kur të rinjtë po përballen me më pak mundësi punësimi.
Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e dytë të vitit 2026 në Shqipëri ishin rreth 145 mijë persona mbi 64 vjeç të punësuar, nga 131.2 mijë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja vjetore është rreth 10.5%.
Trendi ishte edhe më i fortë në tre muajt e parë të vitit, kur numri i të punësuarve të kësaj grupmoshe arriti në 140.7 mijë, me një rritje prej 14.4% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e punësimit në moshat e mëdha lidhet edhe me vështirësitë që bizneset hasin për të gjetur punonjës të rinj. Emigracioni dhe tkurrja e brezave që hyjnë në tregun e punës kanë ulur ofertën për fuqi punëtore, ndërsa në disa profesione kërkohen aftësi dhe eksperiencë që nuk gjenden lehtësisht te të rinjtë.
Për bizneset, mbajtja e një punonjësi me përvojë mund të jetë më e thjeshtë sesa gjetja dhe trajnimi i një punonjësi të ri.
Në planin afatgjatë, ndryshimi është edhe më i dukshëm. Në tremujorin e dytë të vitit 2023 ishin rreth 71 mijë të punësuar mbi 64 vjeç, ndërsa tre vite më vonë numri është më shumë se dyfishuar.
Një tjetër faktor është edhe nevoja për të ardhura shtesë. Për shumë persona që kanë arritur moshën e pensionit, vijimi i punës mbetet një mënyrë për të kompensuar të ardhurat e ulëta nga pensioni.
Sipas të dhënave të cituara nga Eurostat, pensioni mesatar bruto në Shqipëri përfaqëson rreth 30% të pagës mesatare të grupmoshës 50–59 vjeç, kundrejt rreth 57% në Bashkimin Europian.
Edhe të dhënat e Anketës Europiane të Kushteve të Punës 2024 tregojnë një tendencë të ngjashme: burrat shqiptarë deklarojnë se dëshirojnë të dalin në pension më vonë se popullsitë e tjera europiane, duke synuar mesatarisht të punojnë deri në 67.4 vjeç.