Si apelohet vendimi i Gjykatës Speciale për krerët e UÇK-së?

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 17.09.2026, 07:27

Aktgjykimi i shpallur më 16 shtator nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është vendim i shkallës së parë dhe nuk është përfundimtar. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Veseli me 18 vite dhe Selimi me 13 vite, në një total prej 81 vitesh burgim. Të katër ish-krerët u shpallën fajtorë për akuza për krime lufte, ndërsa akuzat për krime kundër njerëzimit nuk u provuan.

Sipas procedurave të Dhomave të Specializuara, mbrojtja dhe Prokuroria kanë të drejtë të apelojnë aktgjykimin. Palët duhet të paraqesin njoftimin për apel, duke përcaktuar pikat që kundërshtojnë, brenda 30 ditësh nga shpallja e vendimit. Mbrojtja mund të kërkojë rrëzimin e aktgjykimit, ndryshimin e tij ose uljen e dënimeve, ndërsa Prokuroria mund të kundërshtojë pjesë të vendimit dhe të kërkojë një rezultat tjetër lidhur me përgjegjësinë apo dënimin.

Çështja më pas kalon në Gjykatën e Apelit, e cila mund ta lërë në fuqi aktgjykimin, ta ndryshojë atë ose ta kthejë çështjen për rigjykim në shkallën e parë. Pas vendimit të Apelit, në rrethana të përcaktuara nga ligji, palët mund të kërkojnë edhe shqyrtim në Gjykatën Supreme. Për rrjedhojë, vendimi i 16 shtatorit nuk shënon përfundimin e procesit gjyqësor dhe rezultati përfundimtar do të varet nga procedurat që do të ndiqen në shkallët e tjera të gjykimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit