Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shkaktuar reagime të forta, ndërsa familjarët e të dënuarve kanë shprehur zhgënjimin e tyre pas shpalljes së aktgjykimit.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, janë dënuar me nga 25 vjet burgim. Kadri Veseli është dënuar me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Pas vendimit, ka reaguar edhe Gresë Krasniqi, vajza e Jakup Krasniqit. Përmes një postimi në Facebook, ajo ka shprehur dhimbjen dhe zhgënjimin e saj, duke theksuar se besimi në pafajësinë e babait të saj dhe të bashkëakuzuarve nuk është lëkundur.
“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, sot, në qytetin e drejtësisë, ndodhi padrejtësia më e madhe e këtij shekulli”, ka shkruar ajo.
Krasniqi e ka cilësuar vendimin si një padrejtësi të rëndë dhe ka pretenduar se procesi dhe aktgjykimi janë të motivuara politikisht. Sipas saj, vendimi dëmton edhe figurën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mënyrën se si ajo përfaqësohet në historinë e Kosovës.
Në reagimin e saj, ajo është ndalur edhe te periudha e luftës në Kosovë, duke argumentuar se katër të dënuarit morën armët për të mbrojtur familjet dhe popullsinë nga dhuna dhe dëbimet.
“UÇK-ja luftoi kundër kasapit të Ballkanit, kundër një prej ushtrive më të përgjakshme të rajonit, kundër një makinerie ushtarake që kreu gjenocid në Kosovë. E megjithatë, sot u dënuan çlirimtarët”, ka deklaruar ajo.
Krasniqi ka ngritur gjithashtu një krahasim me figura politike serbe, duke përmendur rastin e ish-zëdhënësit të UÇK-së dhe duke pretenduar se homologu i tij i atëhershëm, Ivica Daçiç, vijon të jetë i lirë në Beograd. Sipas saj, ky është një tjetër element që ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si është zhvilluar procesi.
Pavarësisht vendimit, vajza e Jakup Krasniqit ka thënë se familja nuk do të heqë dorë nga bindjet e saj.
“Unë jetoj dhe do të vdes me bindjen time të plotë në pafajësinë dhe çiltërsinë e babait tim, Hashimit, Kadriut dhe Rexhës”, ka shkruar ajo.
Në përfundim të reagimit, Gresë Krasniqi ka përcjellë mesazhin se, pavarësisht dhimbjes dhe zhgënjimit të shkaktuar nga aktgjykimi, qëndrimi i saj ndaj babait dhe bashkëakuzuarve mbetet i pandryshuar.
“Krenaria mbetet. E vërteta mbetet. Ne do ta vazhdojmë luftën për liri dhe drejtësi”, ka përfunduar ajo.