Sot, vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë për të dënuar katër krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me një total dërrmues prej 81 vitesh burgim, nuk është vetëm një shuplakë mbi historinë e Kosovës. Është një shpërthim i një absurdi matematik, ligjor dhe moral kur krahasohet me peshën e dënimeve që drejtësia ndërkombëtare ka dhënë ndaj aparatit gjenocidal të Sllobodan Millosheviçit.
Kur përballen shifrat e dënimeve për krimet shtetërore serbe me ato që iu faturuan drejtuesve të rezistencës popullore shqiptare, shfaqet një asimetri skandaloze.
Në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për ish-Jugosllavinë , për të gjitha masakarat, spastrimin etnik të 850 mijë shqiptarëve, vrasjen e mbi 10,000 civilëve, përdhunimin e mijëra grave dhe djegien e gjysmës së Kosovës, u dënuan vetëm 5 zyrtarë të lartë serbë me vendim përfundimtar:
Nebojša Pavković (Komandant i Armatës së 3-të të Ushtrisë Jugosllave) – 22 vite burg.
Sreten Lukić (Kreu i Stafit të MPB-së serbe në Kosovë) – 20 vite burg.
Nikola Šainović (Zëvendëskryeministër i Jugosllavisë, krahu i djathtë i Millosheviçit) – 18 vite burg.
Dragoljub Ojdanić (Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave) – 15 vite burg.
Vladimir Lazarević (Komandant i Korpusit të Prishtinës) – 14 vite burg.
Në total, i gjithë zinxhiri komandues i makinerisë shtetërore e ushtarake serbe që kreu gjenocidin në Kosovë u dënua me 89 vite burgim (dhe Presidenti i atëhershëm i Serbisë, Milan Milutinović, u shpall plotësisht i pafajshëm).
Sot, vetëm 4 udhëheqës politikë e guerilë të UÇK-së – një lëvizje popullore e lindur nga nevoja për vetëmbrojtje, u dënuan nga e njëjta vatër "drejtësie" me 81 vite burgim.