Gjykata Speciale në Hagë ka shpallur aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke dënuar Hashim Thaçin me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqin me 25 vjet, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim.
Sipas aktgjykimit, katër ish-drejtuesit u shpallën fajtorë për disa krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Në të njëjtin vendim, trupi gjykues i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, duke thënë se nuk u vërtetua ekzistenca e një sulmi të gjerë ose sistematik ndaj popullsisë civile. Pas vendimit kanë pasuar reagime të shumta nga politika, familjarët dhe mbrojtja. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar vendimin si “padrejtësi të papranueshme”, duke thënë se aktgjykimi, edhe pse është shpallur në emër të popullit të Kosovës, nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve.
Avokatët e të dënuarve kanë bërë të ditur se do ta apelojnë vendimin. Mbrojtja e Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit kanë deklaruar se besojnë në pafajësinë e klientëve të tyre dhe se beteja ligjore do të vazhdojë në instancën e apelit.
Ndërkohë, në Prishtinë janë mbledhur qytetarë për të protestuar pas vendimit.
Disa protestues kanë hedhur gurë dhe shishe drejt selisë së EULEX-it, ndërsa Policia e Kosovës ka vendosur forca shtesë në zonë.
Vendimi ka shkaktuar reagime edhe nga Bashkimi Evropian, i cili ka bërë thirrje për përmbajtje dhe ka kërkuar që procesi të vazhdojë përmes rrugëve ligjore.
Aktgjykimi i sotëm është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ankese.