“Ujësjellësi dhe Policia kanë hyrë në pronën time pa leje apo urdhër, faturat i paguaj rregullisht”

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 16.09.2026, 14:33

Një qytetar, banor i Linzës, në Dajt, ka kontaktuar redaksinë për të denoncuar një kontroll të kryer nga punonjësit e ujësjellësit Tiranë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.

Qytetari tregon se familja e tij ndodhej në spital dhe se në momentin kur punonjësit e ujësjellësit dhe policia kanë mbërritur në banesë, nuk ndodhej askush në shtëpi.

Sipas tij, personat kanë hyrë në oborr dhe në ambientet e pronës pa e njoftuar më parë familjen.

“Ne ishim në spital. Kur u kthyem, i gjetëm brenda oborrit të shtëpisë. Nuk kam qenë as unë dhe asnjë person nga familja në shtëpi”, shprehet qytetari.

Ai thotë se nuk është kontaktuar apo njoftuar paraprakisht për kontrollin dhe se punonjësit kanë hyrë në pronë në mungesë të familjarëve.

Sipas qytetarit, familja është e rregullt me pagesat e ujit dhe faturat paguhen çdo muaj. Ai mohon që të ketë kryer vjedhje uji apo ndërhyrje të paligjshme në rrjet.

Faturat e ujit i paguajmë të gjitha. Jemi të rregullt çdo muaj. Na vijnë për kontroll, por nuk e kuptojmë pse hyjnë pa na lajmëruar”, thotë ai.

Qytetari shprehet i shqetësuar edhe për mënyrën se si është kryer kontrolli në ambientet private të pronës. Ai tregon se në oborr mban rrush dhe prodhon raki për përdorim personal dhe thotë se gjatë kontrollit janë prekur edhe këto ambiente.

Unë aty mbaj rrushin dhe rakinë. Bëj raki vetëm për qejfin tim. Nuk merrem me asgjë tjetër. Kanë futur duart vend e pa vend te rrushi që kam për vete dhe më kanë prishur gjërat aty brenda”, pretendon ai.

Sipas tij, nuk është hera e parë që punonjës të ujësjellësit paraqiten për kontroll.

Kanë ardhur disa herë, por nuk kanë gjetur asgjë. Nuk e di nga kush vijnë dhe kush i sjell. Ne nuk vjedhim ujë dhe i kemi faturat të paguara”, shprehet qytetari.

Ai ka dokumentuar këtë situatë edhe me video dhe se në pamje shihen personat brenda pronës.

Siç e shikoni edhe në video, i kam gjetur brenda oborrit dhe brenda portës. Mesa dimë ne, nuk duhet të hyhet në pronën e dikujt pa qenë në dijeni i zoti i shtëpisë”, thotë ai.

Qytetari kërkon që institucionet përgjegjëse të sqarojnë arsyen e kontrollit, praninë e policisë dhe rrethanat në të cilat është kryer hyrja në pronën private, në një kohë kur familjarët nuk ndodheshin në banesë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit