Autoritetet doganore në Suedi kanë ndaluar një ngarkesë prej më shumë se 9.6 tonësh produkte ushqimore të eksportuara nga Kosova, pasi gjatë kontrollit është zbuluar se biskotat përmbanin vezë.
Ngarkesa kishte mbërritur me kamion në pikën e zhdoganimit në Malmö dhe ishte deklaruar si produkte të kategorisë së biskotave dhe ëmbëlsirave.
Por gjatë verifikimit të dokumentacionit, zyrtarët suedezë kanë vërejtur mospërputhje dhe kanë vendosur të kryejnë kontroll fizik.
Gjatë kontrollit është konstatuar se produktet kishin përbërës me origjinë shtazore, konkretisht vezë, ndërsa sipas autoriteteve suedeze Kosova nuk është në listën e vendeve të autorizuara për eksportin e produkteve të kësaj kategorie që përmbajnë përbërës të tillë.
Dyshimet janë se përmbajtja e produkteve mund të mos jetë deklaruar saktë për të shmangur kufizimet e importit.
Importuesi suedez, një kompani me shumicë, është përballur me dy opsione: asgjësimin e ngarkesës në Suedi ose kthimin e saj në vendin e eksportit. Kompania ka zgjedhur që produktet të kthehen në Kosovë.
Autoritetet suedeze kanë theksuar se rregullat për importin e produkteve ushqimore me origjinë shtazore nga vendet jashtë Bashkimit Evropian janë të rrepta, me qëllim parandalimin e rreziqeve për shëndetin e kafshëve dhe përhapjen e sëmundjeve.