Tensione të forta në Hagë: Protestuesit përplasen me policinë, nisin arrestimet

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 16.09.2026, 13:38

Tensione të forta janë shënuar në Hagë pas shpalljes së vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Gjykata i dënoi katër ish-krerët me një total prej 81 vitesh burgim. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite.

Pas shpalljes së vendimit, situata jashtë ambienteve të gjykatës është përshkallëzuar. Mbështetës të ish-krerëve të UÇK-së kanë protestuar kundër vendimit, duke e cilësuar atë si të padrejtë. Nga turma janë dëgjuar thirrje në mbështetje të UÇK-së, ndërsa protestuesit kanë kundërshtuar përgjegjësinë e ish-krerëve për krimet e pretenduara gjatë luftës në Kosovë.

Në një moment, tensionet kanë kaluar në përplasje me policinë. Dy protestues janë ngjitur mbi një furgon policie, ndërsa forcat e rendit kanë ndërhyrë për të shpërndarë turmën.

Policia ka përdorur ujë për të larguar protestuesit, ndërsa më pas situata është përshkallëzuar me përdorimin e mjeteve të tjera të kontrollit të turmës. Sipas raportimeve nga vendngjarja, protestuesit kanë hedhur flamuj, shishe, kanaçe, gurë dhe degë në drejtim të efektivëve.

Forcat e policisë kanë përdorur edhe sprej irritues, ndërsa kanë nisur arrestimet e disa protestuesve. Në zonën pranë Malieveld-it është raportuar për ndërhyrje të forcave të rendit dhe për arrestimin e protestuesve.

Pamjet nga Hagë tregojnë një prani të shtuar policore dhe përleshje mes forcave të rendit dhe protestuesve, ndërsa autoritetet po përpiqen të shpërndajnë turmën dhe të rikthejnë qetësinë.

Vendimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit vjen pas një procesi gjyqësor disa-vjeçar në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Të katër ish-krerët janë përballur me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të dyshuara gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Gjatë procesit, ata kanë mohuar përgjegjësinë për krimet e pretenduara. Vendimi i shpallur në Hagë është i shkallës së parë dhe mund të ankimohet.

Ndërkohë, situata jashtë gjykatës mbetet e tensionuar, ndërsa protestuesit vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin dhe policia vijon ndërhyrjen për të mbajtur nën kontroll turmën.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit