Kosova goditet sërish, këtë herë nga ata që duhet të jepnin drejtësi për gjakun e derdhur për liri

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 16.09.2026, 12:37

Sot, nga sallat e ftohta dhe burokratike të Hagës, u nënshkrua një nga pamfletet më të turpshme të drejtësisë. Dënimi i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me gjithsej 81 vite burgim, Hashim Thaçi me 25 vite, Jakup Krasniqi me 25, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vite, nuk është thjesht një vendim gjyqësor. Është një vrasje e hapur ndaj të vërtetës historike, një thikë pas shpine për viktimat e spastrimit etnik dhe një fyerje e rëndë mbi gjakun e derdhur për liri.

Ky aktgjykim skandaloz u përpoq të bëjë atë që as makineria e luftës e Beogradit nuk e arriti dot: ta shndërrojë viktimën në agresor dhe ta vulosë luftën çlirimtare si një "ndërmarrje kriminale".

Historia e Kosovës nuk nisi në salla gjyqesh e as me pushkën e UÇK-së. Ajo u shkrua mbi dekada represioni, diskriminimi, përdhunimi dhe përndjekjeje sistematike nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit. Në vitet 1998–1999, shteti serb vuri në zbatim planin gjenocidal për shfarosjen dhe dëbimin e shqiptarëve:

  • Dëbimi masiv: Më shumë se 850 mijë shqiptarë u dëbuan dhunshëm nga shtëpitë e tyre, mbi 80% e popullsisë, ndërsa qindra mijëra të tjerë u detyruan të jetonin maleve si refugjatë brenda vendit të tyre.

  • Masakrat e pandërprera: Prekazi, Likoshani, Çirezi, Reçaku, Krusha e Madhe, Meja, Izbica, Suhareka… nuk janë thjesht emra në hartë. Janë plagë të hapura, varre masive ku forcat e Millosheviçit ekzekutuan pleq, gra e fëmijë dhe zhdukën trupat e tyre për të fshehur gjurmët.

  • Terrori i organizuar: Dhjetëra mijëra shtëpi të djegura, gra të përdhunuara sistematikisht nga policia e ushtria serbe dhe një popull i tërë i zhveshur nga çdo e drejtë njerëzore.

Në këtë ferr tokësor, ku vetë ekzistenca e shqiptarëve po fshihej nga harta, lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kjo nuk ishte një ushtri pushtuese; ishte vetëmbrojtja e pashmangshme e një populli që po masakrohej në pragun e shtëpisë së vet.

Kushdo që kërkon të bëjë drejtësi, duhet t'i përgjigjet një pyetjeje elementare: Çfarë duhet të bënte një popull kur makineria shtetërore e Millosheviçit po i vriste fëmijët në djep?

Ndërsa kriminelët që zbatuan urdhrat e Millosheviçit sot shijojnë lirinë, amnistinë apo poste politike në Beograd, Haga u dënon me 81 vite burgim ata që rrokën armët për të shpëtuar fëmijët nga thika e kasapit. Kjo nuk është drejtësi, kjo është një maskaradë e turpshme politike që kthen të drejtën për vetëmbrojtje në mekat.

Edhe pse trupi gjykues u detyrua t'i shpallë ata të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, dënimi drastik me 81 vite burgim mbetet një përpjekje e ulët për të krijuar një barazi artificiale morale mes viktimës dhe xhelatit.

E vërteta e Kosovës është e shkruar me gjakun e dëshmorëve dhe mbijetesën e një populli të tërë, dhe asnjë aktgjykim nuk mund ta fshijë atë! I/Cani.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit