Atmosferë festive është krijuar në qytete të ndryshme të Kosovës pas zhvillimeve të fundit në Dhomat e Specializuara në Hagë. Qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshe me flamuj të Kosovës, Shqipërisë dhe UÇK-së, duke pritur me emocione vendimin për katër ish-drejtuesit e UÇK-së.
Trupi gjykues ka konstatuar se konflikti i armatosur mes UÇK-së dhe forcave serbe ka vijuar deri më 20 qershor 1999 dhe se pas kësaj date nuk janë konstatuar krime lufte. Po ashtu, akuza për krime kundër njerëzimit ka rënë për secilin prej katër të akuzuarve, sipas gjetjeve të bëra publike gjatë leximit të aktgjykimit.
Në Prishtinë dhe qytete të tjera, qytetarët kanë shpërthyer në brohorima, ndërsa flamujt dhe simbolet e UÇK-së janë bërë pjesë e festimeve. Për shumë prej tyre, kjo ditë shihet si një moment me rëndësi të veçantë, pas viteve të pritjes për vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.