Protestë e dhunshme në Rumani, fermerët përleshen me policinë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 16.09.2026, 00:53

Mijëra fermerë dhe blegtorë u mblodhën më 15 shtator përpara selisë së qeverisë në Bukuresht, në një protestë kundër politikave dhe masave të autoriteteve rumune në sektorin e blegtorisë, e cila më pas u përshkallëzua në përleshje me forcat e rendit.

Protesta u organizua kryesisht nga rritësit e deleve dhe dhive, të cilët kundërshtojnë zgjatjen deri më 31 dhjetor 2026 të ndalimit të eksportit të kafshëve të gjalla drejt vendeve jashtë Bashkimit Europian. Kufizimet janë vendosur në kuadër të masave për frenimin e përhapjes së sëmundjeve te kafshët.

Fermerët kundërshtojnë gjithashtu kostot e larta të prodhimit, çmimet e ulëta të produkteve bujqësore dhe mënyrën se si autoritetet kanë menaxhuar masat për kontrollin e sëmundjeve, duke kërkuar ndërhyrje dhe mbështetje nga qeveria.

Situata u tensionua gjatë protestës në Piața Victoriei, ku disa demonstrues tentuan të çanin kordonet e xhandarmërisë dhe hodhën gurë, shishe e sende të tjera në drejtim të forcave të rendit. Xhandarmëria përdori gaz lotsjellës për të zmbrapsur protestuesit.

Sipas autoriteteve dhe mediave rumune, 24 persona, mes tyre 8 xhandarë, morën ndihmë mjekësore, ndërsa 29 persona u ndaluan dhe u shoqëruan për t’u marrë në pyetje lidhur me incidentet.

Protesta shkaktoi gjithashtu bllokime të trafikut në zonën përreth sheshit dhe në disa prej akseve kryesore të Bukureshtit.

Protestuesit kërkojnë rishikimin e masave që, sipas tyre, po dëmtojnë aktivitetin e fermerëve dhe blegtorëve, si dhe zgjidhje për humbjet e shkaktuara nga kufizimet dhe masat sanitare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit